Në deklaratën për mediat, ku njoftoi shkarkimet në Policinë e Shkodrës, pas zaptimit të hapësirave publike në Theth, kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Prodra një paralajmërim kishte edhe për drejtuesit e Policive vendore në të gjithë vendin.
“Jemi në mes të sezonit turistik, një periudhë ku pritshmëritë janë të larta dhe kërkojnë që angazhimi dhe eficenca e Policisë së Shtetit të jenë maksimale. Siguria, parandalimi dhe goditja e paligjshmërisë, veprimi i shpejtë institucional dhe shërbimi i gatshëm ndaj qytetarëve janë pika që udhëheqin çdo strukturë të Policisë së Shtetit në përmbushje të misionit të tyre.
Pritshmëritë e qytetarëve dhe institucioneve, të cilave u janë shtuar edhe ato të turistëve të shumtë nga mbarë bota, janë më të larta se kurrë dhe me plot të drejtë. Dua t’i siguroj të gjithë se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë.
Siç kemi bërë publike nëpërmjet njoftimeve për shtyp apo inspektimeve në terren, strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara maksimalisht në zbatim të planit të posaçëm të masave për sezonin turistik veror 2025, me fokus:
Garantimin e sigurisë, qetësisë dhe rendit në zonat turistike dhe urbane;
Garantimin e perimetrit të sigurisë në plazhe;
Parandalimin e ndotjes akustike;
Parandalimin e ndotjes së mjedisit;
Lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundërligjshme;
Parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje.
Në këtë kuadër, dua të ndaj me publikun dhe të paraqes para çdo strukture policore disa pika që janë të panegociueshme dhe prioritare për ditët, javët e muajt në vazhdim:
Lirimi nga zaptimet arbitrare i hapësirave të përbashkëta publike në të gjitha qytetet e mëdha, është një detyrë e pandashme për çdo strukturë të policisë. Hapësirat publike u takojnë qytetarëve dhe komunitetit, e askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë.
Do të ketë kontroll të përditshëm dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo neglizhencë nga cilado strukturë e policisë që ka për detyrë të parandalojë apo godasë këto paligjshmëri, pa pritur që problematika të bëhet e patolerueshme si në rastin e Thethit.
Bashkitë, komunitetet dhe qytetarët i ftoj të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Shtetit dhe të denoncojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë çdo rast indiference apo abuzimi nga ana e punonjësve të policisë apo çdo strukture tjetër inspektimi që ka për detyrë kontrollin e territorit.” tha ai.

