“Air Albania Stadium” është vendi i përzgjedhur për të bërë vaksinat kundër COVID-19. Vaksinimi nisi para disa ditësh, teksa mes personave që e bënë ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Gjithsesi ka një problematikë, në lidhje me marrjen e ambienteve të stadiumit pa ndonjë leje të posaçme. FSHF, nga sa mëson abcnews.al, nuk është kontaktuar, edhe pse është ajo që e menaxhon stadiumin.
Mund të konsiderohet një zaptim, pavarësisht qëllimit të mirë që qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka. Në kushtet kur ka munguar komunikimi, vetë FSHF ka menduar ta hedhë hapin e parë.
Kështu, në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë dërguar shkresat e para dhe në FSHF kërkojnë që të paguhet qira për përdorimin e stadiumit “Air Albania”, sikurse ndodh me çdo subjekt që e merr në përdorim.
Këtu nuk bën përjashtim as Ministra e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Mbetet të shihet se cila do të jetë përgjigja nga ky institucion, me të cilin FSHF më parë pati replika në lidhje me rinisjen e kampionatit sezonin e shkuar. /abcnews.al