Nga një vajzë e vogël në Kosovë, që ëndërronte për Harvardin, në një shkencëtare që sot i jep formë të ardhmes së inteligjencës artificiale në MIT! Historia e Zana Buçincës është një histori suksesi, përkushtimi dhe guximi për të ëndërruar dhe realizuar të pamundurën.
Që kur ishte vetëm 10 vjeçe, Zana i përsëriste vetes dhe prindërve të saj një dëshirë të madhe: të studionte në Harvard. Sot, në moshën 31-vjeçare, ajo jo vetëm që ka përfunduar doktoraturën në Universitetin prestigjioz amerikan, por duke nisur nga viti i ardhshëm ajo do të jetë dhe profesore asistente në Massachusetts Institute of Technology (MIT), universiteti më i mirë në botë, ku Zana do të ketë laboratorin e studentët e saj.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Zana ndoqi studimet universitare dhe master në Izmir, Turqi.
Ndërsa në Harvard, Zana përfundoi doktoraturën në Shkenca Kompjuterike, duke u specializuar në një nga fushat më moderne të teknologjisë: ndërveprimi njeri-kompjuter (HCI) dhe inteligjenca artificiale. Gjatë studimeve, ajo kaloi dy vera në praktikë kërkimore në Microsoft Research, ku kontribuoi në zhvillimin e teknologjive që ndihmojnë njerëzit të bashkëpunojnë më mirë me sistemet e inteligjencës artificiale.
“Unë hartoj teknika të ndërveprimit njeri–inteligjencë artificiale që plotësojnë njerëzit dhe amplifikojnë vlerat e tyre në punën e asistuar nga AI,” shpjegon Zana. Këto qasje të reja sipas saj synojnë ta bëjnë AI-n jo thjesht një mjet, por një partner të fuqishëm në procesin e punës dhe krijimtarisë njerëzore. A duhet të kemi frikë nga teknologjia, a do të nxjerrë njerëzimin në pension? Ja si përgjigjet shkencëtarja shqiptare Zana Buçinca në intervistën e dhënë sot në ABC e Mëngjesit.


