Rusia do të marrë masat e duhura kundër Malit të Zi, i cili ka ndaluar transmetimin e një numri mediash ruse që nga 10 korriku, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova.
“Ne e konsiderojmë një sulm tjetër nga qeveria malazeze si një akt armiqësor të censurës së hapur, i projektuar nga njëra anë për t’i dhënë pamjen e legjitimitetit shkeljes më të rëndë të lirive të medias dhe nga ana tjetër për të fituar favorin e Brukselit me shpresën e progresin e premtuar në rrugën evropiane”, tha Zaharova.
Për të kënaqur agjendën transatlantike rusofobike, shtoi ajo, ata janë të gatshëm të vazhdojnë politikën e minimit të themeleve demokratike të shoqërisë dhe shtetit të tyre dhe t’u mohojnë qytetarëve të tyre të drejtën për të pasur akses në informacion.
Në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, thuhet se Agjencia e Mediave Elektronike e Malit të Zi ka urdhëruar departamentet kompetente dhe kompanitë lokale të telekomunikacionit që “të pezullojnë plotësisht transmetimin e mediave ruse më së voni deri më 10 korrik”.
Bëhet fjalë për 20 operatorë mediatikë rusë, duke përfshirë “Channel One”, “Russia 1”, “RT”, “Sputnik”, “NTV”, “REN TV” dhe të tjerë.
Zaharova tha se ky vendim nënkupton ndalimin e transmetimit satelitor dhe kabllor të përmbajtjes së tyre, si dhe të çdo mjeti tjetër të shpërndarjes, përfshirë edhe internetin.
Sipas saj, është një përpjekje për të zyrtarizuar ligjërisht në mënyrë retroaktive situatën e krijuar në fillim të vitit 2022.
Më pas autoritetet malazeze pa paralajmërim bllokuan të gjithë transmetuesit rusë të disponueshëm në vend dhe pastruan plotësisht hapësirën informative nga prania e tyre, tha Zaharova.
Ajo shtoi se tashmë arsyetimi zyrtar për vendosjen e ndalimit, i cili jozyrtarisht ka kohë që është në fuqi, është bashkimi i Podgoricës me sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj mediave ruse./abcnews.al