Përfaqësuesja për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka njoftuar këtë të diel, me rastin e tentativës për vrasjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, se në SHBA po inkurajojnë nxitjen e urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë.
“Pikërisht dy muaj më parë, tërhoqa vëmendjen për faktin se në Shtetet e Bashkuara po inkurajojnë fjalë për fjalë nxitjen e urrejtjes kundër kundërshtarëve politikë, duke përmendur shembuj të traditës amerikane të vrasjes së presidentëve dhe kandidatëve presidencialë”, shkroi Zakharova në kanalin e saj Telegram.
Ajo iu referua edhe mesazhit të saj të shkruar në maj, në të cilin theksoi se në Shtetet e Bashkuara “po flasin hapur për nevojën e vrasjes së kandidatit republikan për president, ish-presidentit amerikan Donald Trump”, ndërsa në të njëjtën kohë kritikojnë legjitimitetin e procesi zgjedhor në Rusi.
Donald Trump ndërpreu një dalje publike në Pensilvani të shtunën pasi u plagos në një sulm, Shërbimi Sekret i SHBA tha se kishte vrarë të armatosurin e dyshuar i cili qëlloi disa të shtëna në skenë, duke plagosur rëndë dy të tjerë.
Sipas FBI-së, autoritetet amerikane nuk dinin paraprakisht për përgatitjen e krimit dhe për sulmin dyshohet 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks nga Pensilvania. Ai dyshohet se ishte fshehur në çatinë e një ndërtese rreth 100 metra larg skenës dhe jashtë zonës ku po mbahej mitingu i fushatës së Trump./abcnews.al