Presidenti i Republikës Ilir Meta, zhvilloi sot një takim me Presidenten e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, në Zagreb.
Kreu i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e fortë që Presidentja Grabar-Kitarović dhe Kroacia i kanë dhënë Shqipërisë veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Duke iu referuar lidhjeve të forta historike dhe marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe vizionit të përbashkët euroatlantik, Presidenti Meta theksoi se, ka ardhur koha që këto marrëdhënie të ngrihen në nivelin e Partneritetit Strategjik.
Presidenti shqiptar vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin dhe kontributin e komunitetit shqiptar, që jeton në Kroaci si urë lidhëse në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.
Të dy Presidentët ranë dakord që, në kuadrin e vitit të Skënderbeut, të zhvillojnë një vizitë të përbashkët tek komuniteti 300-vjeçar i Arbanasve të Zarës./abcnews.al