Yulia Skripal: Dua të kthehem në Rusi

schedule22:21 - 24 Maj, 2018

schedule 22:21 - 24 Maj, 2018

Yulia Skripal, vajza e ish-spiunit rus që bashkë me të atin u helmuan me armë kimike, ka deklaruar në intervistën e parë pas rekuperimit shëndetësor se dëshiron të kthehet në Rusi. Por në një reagim zyrtar, Kremlini ka bërë te ditur se nuk i beson fjalëve të saj.

Yulia Skripal, vajza e ish-spiunit rus që i mbijetoi sulmit me armë kimike, ka deklaruar se dëshiron të kthehet në vendlindje pavarësisht akuzave se mbrapa tentativës për vrasje qëndron Rusia.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, e para pas rekuperimit shëndetësor, Yulia ka deklaruar se ka përjetuar një eksperiencë shumë të vështirë.

“Fakti që ndaj meje u përdor një agjent kimik është tronditës. Jeta ime është kthyer përmbys”, ka thënë zonjusha Skripal.

33-vjeçarja dhe i ati Sergei Skripal, ish-kolonel i shërbimit sekret ushtarak që u dorëzoi britanikëve agjentët rusë në Angli, u gjetën pa ndjenja në një stol në parkun e qytetit Salisburi më 4 Mars. Ajo qëndroi në koma për 20 ditë.

“U zgjova me lajmin se të dy ne ishim helmuar. Jemi me fat që i kemi mbijetuar këtij sulmi. Rekuperimi ynë ka qenë i ngadaltë dhe i dhimbshëm”, ka treguar Yulia.

Vajza e ish-spiunit i është përgjigjur pyetjeve të “Reuters” me shkrim dhe ia ka dorëzuar letrën agjencisë përmes policisë britanike. Aktualisht ajo ndodhet në një lokalitet sekret në Londër, nën mbrojtjen e shtetit anglez.

Duke reaguar ndaj intervistës së saj, Kremlini e ka cilësuar të dyshimtë dëshirën e 33-vjeçares për t’u kthyer në vendlindje. Autoritetet në Moskë, që mohojnë përfshirjen në helmimmin me agjent kimik, ngrenë dyshime nëse vajza e spiunit ka folur me dëshirën e saj.

“Nuk kemi asnjë bazë për ta marrë të mirëqënë këtë deklaratë dhe për t’i besuar”, ka deklaruar zëdhënësi Dmitry Peskov./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!