Ylli: Jam optimist, sporti shqiptar do t’i fitojë të drejtat që i meriton

schedule22:47 - 15 Tetor, 2020

schedule 22:47 - 15 Tetor, 2020

Fidel Ylli, deputet i PS-së, ka qenë i deleguari nga qeveria për bisedimet me sportin, për të negociuar për katër kërkesat e Ligës. Në një lidhje Skype me emisionin Pressing, në ABC News, Ylli tha: “Unë nuk para merrem me deklarata, sepse asnjëherë nuk kam qenë pro debatit. Zgjidhjet gjithmonë dhe në çdo vend, bëhen vetëm në tavolinë.

Në rast se kërkesa e ligës që iu bë parlamentit shqiptar, do të ishin ulur para një muaji, sot do të ishim në javën e gjashtë të kampionatit.

Mua më intereson zgjidhja. Sot, u bë një debat rreth dy orë dhe unë mendoj se shumë shpejt, do të dalim në konkluzion për të zgjidhur në maksimumin e tyre në të gjitha kërkesat e futbollit. I bëri futbolli këto kërkesa, por do të përfitojë i gjithë sporti shqiptar.

Isha dakord me bojkotin, deri kur të bindej kryeministri për bisedime. Më pas, u bojkotua edhe takimi dhe kjo është e pafalshme. Ulja e tavolinës ka për t’i zgjidhur problemet dhe siç u ulëm sot, nëse do të uleshim para një muaji, do të ishim më të qetë. Unë nuk e pranoj dot ofendimin që iu bë Ministres, mua, me bojkotin e tavolinës.

Qeveria dërgoi një person të sportit, mik dhe shok të tyrin, që ka bërë ligjin e sportit këto vite, dhe këta ta injorojnë, unë jam ndjerë i ofenduar. Unë e kam thënë dhe më përpara dhe i mbahem fjalëve të mia.

Unë jam dakord me të katër kërkesat dhe e kam thënë se në tavolinë do të isha arbitër. Por duke qenë se kemi pasur një vit shumë të vështirë sa i përket tërmetit, pandemisë, dhe mijëra bizneseve të papuna, nuk mund t’i thosha kryeministrit që hajde zgjidhim problemet e sportit. Unë kam dhe ca përgjegjësi në zonën time ku jam deputet, njerëzit janë jashtë, pa shtëpia, pa biznese. Kryeministri u tregua i gatshëm për bisedime, pavarësisht gjithçkaje.

Unë mendoj se ata e kanë për fat që kanë zotin Libohova si president i Ligës, një ekonomist i njohur për financat e shtetit, ka qenë pjesë e bankës dhe unë mendoj se duhet t’i jepnin mbështetjen e duhur Ligës, pasi ishte ajo e cila kishte bërë kërkesën kryeministrit shqiptar, nuk ishte FSHF-së.

Po të ishte për mua dhe Libohovën, nuk do të kishte më shumë se një muaj bojkot. Qeveria ka mëkatet e saj, të gjitha qeveritë i kanë sa i takojnë sportit, por qeveria shqiptare tregoi gatishmëri për investimin në sport. Unë nuk jam i autorizuar sot të flas për konkluzione, pasi unë në debatin 2 orë, kam qenë në krahun e ligës. Të thashë, kanë marrë rrugë pjesa më e madhe e kërkesave të Ligës dhe javës që vjen, do të kemi një zgjidhje sa i takon Ligjit të Sponsorizimit.

Pas ditës së martë, do të dalim në konkluzione. Nuk dua të flas para kohe, por jam optimist. Sporti shqiptar do t’i fitojë disa të drejta të merituara. Të fala të ftuarve”, përfundoi Ylli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!