E ka veshur fanelën kuqezi, por ende nuk ishte i qartë.
Gjithsesi, leja nga FIFA ka ardhur dhe Gabriel Ramaj do të jetë përforcimi më I fundit zyrtar I Shqipërisë U21.
Mbrojtësi I qendrës që luan për Shpresat e Atalantës në Itali, është thirrur nga trajneri Alban Bushi për dy miqësoret e qershorit, ndaj Hungarisë e Turqisë, ndërsa më parë kishte qenë në ekip në dy miqësore ndaj Greqisë e Luksemburgut.
Ramaj është 19 vjeç dhe aktualisht është në kampionatin e Shpresave në Apenine, apo siç e quajnë italianët, Primavera. Këtë sezon numëron 26 ndeshje me një gol të shënuar, ndërsa ka qenë titullar në 65 për qind të ndeshjeve, dhe ka luajtur shumicën e minutave.
Që nga mosha 16-vjeçare është në Akademinë e Atalantës, ndërsa më i vogël, kur ishte 13 vjeç ka qenë tek Parma. Karrierën ndërkombëtare në moshë të vogël e ka nisur me Italinë, nga U16 deri në U19, ndërsa ka veshur në tri ndeshje edhe fanelën e Shqipërisë U17 të trajnerit Ervin Bulku.
Tashmë, zgjedhja është bërë dhe Ramaj do të luajë për Shpresat kuqezi, e nëse do të bindë, edhe me kombëtaren që sot drejtohet nga Silvinjo./abcnews.al