Bayern Munchen është një fitore larg titullit të 30-të në Bundesligë (ose mjafton që të mos regjistrojë nesër rezultat më negativ se Leipzig). Skuadra bavareze luan nesër në transfertë kundër Mainz (15:30), takim ku do të kërkojë triumfin për të qëndisur yllin e pestë në fanellë.
Hansi Flick, në konferencën e zakonshme për shtypin, ndalet te Robert Lewandowski. Bomberi polak ka qenë mungesa e madhe e Bayernit në këtë periudhë, por do të jetë në dispozicion për nesër. “Lewandowski ndodhet në formë të shkëlqyer“, deklaroi trajneri i kampionëve në fuqi.
Sulmuesi kryesor i ekipit ka shënuar 35 gola këtë sezon në kampionatin gjerman. Rekordi i realizimeve gjatë një sezoni i përket Gerd Muller me 40 gola. Pesë gola larg është Lewandowski, i cili ka katër ndeshje në dispozicion për të shkruar një tjetër faqe të historisë së Bundesligës. /abcnews.al