Ylli i dytë shumë pranë, Inter përgatit festën e titullit të 20-të

schedule08:51 - 18 Prill, 2024

schedule 08:51 - 18 Prill, 2024

Një derbi ende për t’u luajtur dhe një titull kampion për t’u fituar, megjithatë te Interi të gjithë e kanë mendjen te festa e stampimit të yllit të dytë mbi fanellë, që simbolizon edhe kampionatin e 20-ë të fituar në histori.

Zikaltrit mund të shpallen matematikisht kampionë në rast të një fitoreje në derbin e të hënës, që duket se është edhe synimi kryesor për ta, për të nisur festën pikërisht para tifozerisë së Milanit.

Në rast fitoreje në derbin e 22 prillit, festa do të nisë menjëherë të martën, me një autobus të zbuluar, ku do të akomodohen heronjtë e titullit dhe do të nisen drejt Duomos, aty ku do të përshëndeten edhe me tifozerinë zikaltër.

Plani i autobusit vlen edhe nëse nuk arrihet të fitohet titulli në derbi. Kjo pasi ndeshja e radhës do të jetë ndaj Torinos të dielën dhe Interi ka kërkuar që të luhet në orën 15:00 me qëllim që skuadra të niset me autobus drejt Duomos fill pas vërshëllimës finale.

Një tjetër festë pritet të zhvillohet më 19 maj, me rastin e ndeshjes ndaj Lazios në “San Siro”, e fundit sezonale në shtëpi dhe ku pritet që zikaltërve t’u dorëzohet zyrtarisht trofeu.

Aty pritet të ketë të ftuar disa këngëtarë të njohur italianë, kryesisht tifozë të Interit, teksa është premtuar edhe një himn i ri, i lidhur pikërisht me titullin e 20 kampion./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!