Presidenti kinez Xi Jinping do të mbërrijësot në Paris në një vizitë të rrallë zyrtare, me homologun e tij francez Emmanuel Macron që pritet t’i bëjë presion atij që të reduktojë mosmarrëveshjet tregtare midis Kinës dhe BE-së dhe ta bindë atë të përdorë ndikimin e tij me Rusinë në luftën në Ukrainë.
Asnjë nga objektivat nuk duket i lehtë, me vizitën e Xi që vjen ndërsa tensionet midis vendit të tij dhe BE-së mbi tregtinë janë përshkallëzuar.
Parisi po mbështet një hetim europian për eksportet e automjeteve elektrike nga Kina dhe në janar Pekini nisi një hetim për importet kryesisht nga Franca, një lëvizje që shihet gjerësisht si hakmarrje për hetimet europiane.
Kjo është vizita e parë e presidentit kinez në Europë që nga viti 2019 dhe pas Francës, nga e mërkura në të premte, ai do të vizitojë Serbinë dhe Hungarinë, dy vende që kanë mbajtur lidhje të ngushta me Moskën që nga pushtimi i saj në Ukrainë.
Xi do të pritet në orën 16:00 nga kryeministri francez Gabriel Atal. Të hënën, është 60 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Francës dhe Kinës dhe do të ketë takime me Macron dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Të martën presidenti francez do të vizitojë me homologun e tij kinez, së bashku me bashkëshortet e tyre, Pirenejtë, një rajon veçanërisht i dashur për të, pasi është vendi i origjinës së gjyshes së tij nga nëna.
/abcnews.al