Presidenti i Kinës, Xi Jinping, paralajmëroi separatistët në Taivan dhe Hong Kong se çdo përpjekje për të ndarë Kinën do të dështojë. Gjatë një fjalimi në Parlament, ai theksoi se veprime të tilla do të dënohen nga populli dhe historia e Kinës.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka mbajtur një fjalim nacionalist të zjarrtë në Parlament, duke e përshkruar Kinën si një fuqi globale në rritje. Ai tha se “arritja e unitetit të plotë” ishte “shpresë kolektive për të gjithë qytetarët e Kinës” dhe shtoi se çdo përpjekje për të ndarë vendin do të dështojë. Fjalimi ishte një paralajmërim i fuqishëm kundër çdo përpjekjeje për nisma separatist nga vende si Taivani dhe Hong Kongu, të cilat vetëqeverisen, por që konsiderohen nga Pekini si rajone rebele, që duhet të ribashkohen me atdheun, edhe me anë të forcës nëse është e nevojshme.
“Të gjitha veprimet për të ndarë vendin do të dështojnë dhe do të dënohen nga populli dhe ndëshkohen nga historia”, u shpreh presidenti Xi Jinping.
Në fjalimin e tij, kreu i shtetit vuri në dukje arritjet e historisë së Kinës, duke përmendur shpikjen e barutit dhe shkrimet e Konfucit. Gjithashtu ripërsëriti vizionin e tij për vendin duke thënë se historia ka provuar se vetëm socializmi mund ta shpëtojë Kinën. Xi Jinping është zgjedhur si President në 2013-n dhe tani duket se ai do ta drejtojë Kinën në një mandat të pakufizuar pasi Kongresi i Partisë Kombëtare hoqi kufizimin në Kushtetutë për qëndrimin në pushtet. Tani ai konsiderohet si lideri më i fuqishëm i Kinës, që prej Mao Ce Dunit.
Ndërkohë Kryeministri Li Keqiang e përdori konferencën për shtyp, të cilën e mban vetëm një herë në vit, për të thënë se Kina është e përkushtuar në bashkëpunimin global sa i përket tregtisë. Ai nënvizoi se qeveria e Pekinit do të hapë më tej ekonominë e vendit për të siguruar konkurrencën e drejtë për kompanitë vendase dhe të huaja në tregun e gjerë të Kinës./abcnews.al