E vështirë që një italian t’ia dalë, por edhe që të fitojë favoriti. Xhiro e Italisë këtë sezon po rezervon disa të papritura, dhe njëra prej tyre është dominimi I meksikanit Isak Del Toro.
Çiklisti 21-vjeçar ka shpërthyer papritur këtë edicion, duke mbajtur fort Fanelën Rozë, edhe pse nuk ka fituar asnjë etapë.
Ndonëse mjaft I ri, Del Toro ka kontrolluar Xhiron, duke lënë prapa pretendentët kryesorë. Në etapën e fundit, që ishte malore prej 219 kilometrash, meksikani I ri I fitoi 1 minutë e 30 sekonda favoritit, sllovenit Primozh Rogliç.
Rogliç është në vendin e 10-të 3 minuta e 53 sekonda vonesë nga Bluza Rozë, ndërsa më pranë janë britaniku Jejts, spanjolli Ajuso, ekuadoriani Karapaz.
Dy italianë mbeten ende me shpresë për të triumfuar në Xhiro, edhe pse vështirë ta mbajnë ritmin e të parëve. Këta janë Karuzo dhe Tiberi që kanë mbetur përkatësisht 3 e 3 minuta e gjysmë larg kryesuesit.
Deri tani, klasikja e madhe mbi dy rrota ka zhvilluar 15 etapa, përfshi tre të parat në Shqipëri. Dy kanë qenë kronometër individual dhe tre itinerare malore.
Tashmë, duke nisur nga kjo e martë, do të nisë java vendimtare, me 4 etapa malore ndër pesë gjithsej. Të dielën, është parakalimi nga kopshtet e Vatikanit në Romë, për mbylljen e edicionti të vitit 2025./abcnews.al

