Xhenaro Gatuzo nuk është më trajner i Milanit. Legjenda e klubit u largua pas dështimit në Champions, duke hequr dorë nga miliona euro të kontratës.
Njihej si njeriu i fortë dhe krijoi shumë shpresa.
Xhenaro Gatuzo është një pjesë e madhe e historisë së Milanit, por luftëtari i dikurshëm, nuk arriti dot atë që dëshironte në rolin e trajnerit.
Skuadra lombarde mbeti jashtë Championsit vetëm për një pikë më pak sesa Atalanta dhe Interi, skuadra që u kualifikuan, dhe do të duhet të kënaqet me Ligën e Europës.
Kjo ishte pak si shumë për një legjendë dhe Gatuzo vendosi të merrte përgjegjësinë, ndonëse ndoshta nuk ishte ai fajtori kryesor.
Gazeta “La Republika” njofton se ai është larguar si trajneri, pasi është marrë vesh me klubin.
“Nuk ishte vendim i thjeshtë, refuzova dy vjet kontratë, sepse lidhja ime me Milanin nuk ka qenë kurrë lidhje parash”, u shpreh ai.
Që përfundimi mund të ishte i tillë, u kuptua nga deklaratat e tij në përfundim të ndeshjes ndaj Spalit, të fundit të Serisë A.
“Nëse qëndroj në klub, drejtuesit e dinë se çfarë kërkoj. Kam kaluar 18 muaj të vështirë, dhe kam dëgjuar gjëra të çuditshme. Pati më shumë pretendime sesa duhet për këtë skuadër. Keqardhja më e madhe është që nuk arritëm dot Championsin vetëm për 1 pikë”.
Gatuzo ikën pas një sezoni me shumë probleme, dhe me një skuadër që ndoshta nuk e kishte cilësinë e duhur.
Milani u eleminua që në fazën e grupeve në Ligën e Europës, pas humbjes në fushën e Olimpiakosit në dhjetor.
Po ashtu, u eleminua nga Kupa e Italisë, i mundur në gjysmëfinale nga Lacio në “San Siro”, ndërsa bashkë me Gatuzon largohet edhe drejtori sportiv, Leonardo.
Tashmë Milani nis kërkimin për trajnerin e ri, dhe kandidatët kryesorë janë Simone Inzagi e Leonardo Zhadim./ABC News Albania 24/7