Xhejms Harden pati një tjetër ndeshje të madhe në basketbollin amerikan. Kapiteni i Hjustonit shënoi plot 61 pikë në Arenën “Medison Skuer Garden” të Nju Jorkut
Ende nuk është gjetur mënyra për ta ndalur. Xhejms Harden me gjasa thuajse të sigurta, do ta fitojë çmimin e Lojtarit më të mirë të vitit në NBA, ndërsa në çdo ndeshje po e konfirmon veten.
Kapiteni I Hjustonit vendosi rekordin e pikëve në karrierë, me 61 të tilla, shënuar në Arenën e famshme “Medison Skuer Gardën” të Nju Jorkut. Ishte pikërisht Harden që ndihmoi skuadrën të triumfonte 114-110 ndaj Niksave, ndërsa barazoi edhe rekordin e Kobi Brajantit, si lojtari që kishte shënuar më shumë pikë në Metropolin e botës.
Jo vetëm kaq, por ai pati ndeshjen e 21-të radhazi me të paktën 30 pikë të shënuara, duke lënë pas njërën nga seritë e legjendës Uilt Çembërlen. Gjithsesi, Çembërlen, mban tri seritë e tjera, ku bën dallim sidomos ajo me 65 ndeshje radhazi me të paktën 30 pikë të shënuara.
Harden do të përpiqet të paktën të ngjitet në vend të dytë, por për këtë I duhen të paktën edhe 10 ndeshje të tilla. “Mjekra” pati edhe 15 topa të kapur në tabela.
Ai vazhdon të jetë shënuesi më i mirë i sezonit me 36.3 pikë për ndeshje, duke ndihmuar Hjustonin të përmirësohet këtë vit, duke u ngjitur në vendin e pestë në Konferencën Perëndimore./abcnews.al