Granit Xhaka, emri në krye të titujve mediatikë kudo nëpër botë, është lideri kryesor i kësaj kombëtareje, por edhe Arsenalit.
Xhaka ra përsëri në qendër të vëmendjes në ndeshjen ndaj Serbisë, ku lojtari shqiptar nga Kosova u përplas dy herë me lojtarët serbë.
Ai ka qenë i pranishëm në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Portugalisë e cila do të luhet sot në mbrëmje në orën 20:00. Xhaka iu rikthye edhe një herë sfidës ndaj Serbisë.
“Ajo ndaj Serbisë ishte një ndeshje me shumë emocione, por nervozizmi, adrenalina dhe gëzimi janë pjesë e futbollit. Të premten zhvilluam një ndeshje të shkëlqyer, e dinim se Serbia ishte shumë e rrezikshme, por pavarësisht vështirësive, ishte një fitore e merituar. Sidoqoftë, ajo ka kaluar dhe kemi punuar shumë për sfidën e radhës”, tha Xhaka, ku më pas u ndal te përballja ndaj Portugalisë.
“Kur kemi nisur këtë aventuraë nuk kemi vendosur kufij apo objektiva. Dëshira jonë është që të avancojmë sa më shumë. Jemi të lumtur për gjithçka që kemi bërë, por nuk duam të ndalemi me kaq. Synojmë t’i krijojmë probleme Portugalisë dhe jemi të bindur se mund t’ia dalim”, tha lideri shqiptar./h.ll/abcnews.al