Xhaka në “gojën e ujkut”/ Kapiteni udhëheq Zvicrën ndaj Serbisë në Beograd

schedule15:44 - 12 Tetor, 2024

schedule 15:44 - 12 Tetor, 2024

Dihet mirë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri kanë qenë “armiqtë publikë” në Serbi pas golave ndaj kombëtares së këtij vendi, dhe festimit me simbolin shqiptar të shqiponjës me dy koka.

Ndërsa Shaqiri e ka mbyllur me Zvicrën, Xhaka do të jetë në “gojën e ujkut” pasi “helvetët” luajnë sonte në orën 20:45 në Beograd për Ligën e Kombeve.

Kujtohet qartë përleshja e tij me lojtarët serbë në Kupën e Botës në Katar në 2022, dhe gjesti I tij I pahijshëm, por po ashtu edhe fjalët tepër fyese të trajnerit të Serbisë, Dragan Stojkoviç, ndaj nënave shqiptare, në po atë ndeshje.

Gjithsesi, Stojkoviç flet për Xhakën me superlative.

“Xhaka është njëri nga mesfushorët më të mirë në Europë. Nuk mendoj se ia vlen të ketë provokime, as nga ana jonë, as nga ana e tyre. Kjo është thjesht një tjetër ndeshje, dhe mendoj se nuk do të ketë gjëra të tilla. Lojtarëve të mi u kam thënë të përqëndrohen vetëm tek loja, në atë që duhet të bëjmë. Gjithçka do të jetë lojë e ndershme, ndërsa Xhaka më shqetëson vetëm sepse është një lojtar I madh dhe duhet të kemi kujdes dhe ta ndalojmë, sepse ai është “alfa” e lojës së Zvicrës. Nëse e ndalojmë atë, kemi më shumë mundësi të arrijmë rezultatin e dëshiruar. Granit Xhaka mund të jetë problem vetëm në aspektin e futbollit, dhe nuk ka nevojë t’u japim zë gjërave të tjera. Gjëra të tilla nuk duhet të kenë vend në futboll”.

Trajneri i Zvicrës, Murat Jakin, është I lumtur që e ka lojtarin në dispozicion pasi Graniti mungoi një ndeshje.

“Po, kemi folur së bashku. Ne e dimë se ai është një tip lojtari që jep shpirtin në fushë. E qartë që sjellja e tij ndaj Danimarkës nuk ishte ajo e duhura. Graniti i I kërkoi falje atij lojtari. Nuk luajti ndaj Spanjës, por tashmë është stërvitur mirë. E dimë se futbollistët janë qenie emocionale dhe të tillë duhet të jenë. Mendojmë se Graniti do të na ndihmojë shumë. Ne jemi gati dhe kemi lojtarë që mund ta marrin përgjegjësinë për lojën e ekipit”.

Në Serbi shpresojnë që kombëtarja e tyre t’i japë fund edhe serisë negative ndaj Zvicrës, me të cilën ka humbur vazhdimisht, dhe të arrijë një fitore sonte në stadiumin e Leskovacit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!