Xhaka: Graniti t’i kuptojë tifozët, unë dua ta mbyll te Basel

schedule18:22 - 16 Dhjetor, 2019

schedule 18:22 - 16 Dhjetor, 2019

Taulant Xhaka ka mbrojtur vëllain e tij, Granit Xhaka, në një intervistë për zviceranen Blick. Mesfushori kuqezi ka folur për problemet që po kalon Graniti te skuadra e Arsenalit, aty ku u vërshëllye gjatë një zëvendësimi.

Graniti humbi dhe shiritin e kapitenit te “Topçinjtë” pas këtij episodi. Kur kanë kaluar disa javë nga përplasja e Xhakës me tifozët e Arsenalit, Taulanti i është rikthyer kësaj historie, duke mbrojtur vëllain e tij më të vogël.

GRANIT XHAKA – “Dikush më dërgoi videon e acarimit të vëllait, gjatë zëvendësimit dhe mendova se ishte dëmtuar. Ishte e turpshme, sepse nuk mund t’i vërshëllesh lojtarët e tu, edhe nëse ata kanë pasur një ditë për t’u harruar”.

PROVOKIMI I GRANITIT – “Kjo që thoni nuk është e saktë. Në një moment kontestimi si ai, gjithkujt i shfaqen emocionet dhe nuk mendoni për to. Ai kërkoi falje. Kam folur me të shumë herë gjatë kësaj kohe. Nuk ishte e lehtë, u gjend nën një presion tepër të madh e të padrejtë. Unë i thashë të përmbahet, sepse gjithmonë do të ketë tifozë që të vërshëllejnë. Ky është futbolli”.

GRANITI, KAPITEN – “Duhet të ketë diçka, që lidhet me faktin e të qenit kapiten. Graniti e thotë menjëherë atë që mendon. I thashë që duhej t’i kuptonte tifozët, sepse në fund të fundit, rezultatet e Arsenalit nuk janë të mira”.

UNAI EMERY – “Ju nuk mund të fajësoni gjithmonë trajnerin. Në fund të fundit, duhet të luani vetë në fushë. Graniti është një lojtar që jep gjithmonë 100%, kudo që luan”.

E ARDHMJA – “Do të bëhem baba për tre muaj, kështu që është e qartë për që nuk dua të ndryshoj më mjedis e klub. Unë ende kam një kontratë 2-vjeçare me Baselin, por nëse klubi dëshiron të rinovojë përsëri me mua, do të nënshkruaj menjëherë”.

KAMPION DIMRI – “E rëndësishme është që ne ishim në gjendje ta ngushtonim hendekun ndaj Young Boys në duelin direkt. Ishte diçka e mirë për të gjithë futbollin zviceran”.

ZHEGROVA – “Edoni luftoi në fillim për të ndarë argëtimin me seriozitetin. Sidoqoftë, na ndihmon shumë me driblimin e tij, me cilësitë që ka. Ai e di se ende mund të përmirësohet, veçanërisht në fazën mbrojtëse. Nëse e ka topin në këmbë, diçka ndodh”.

FESTAT – “Ne do të fluturojmë për në Dubai, sepse atje është ngrohtë. Pastaj, për katër ditë do të shkojmë te Graniti, në Londër”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!