“Xhaferi do të quhej shqiptar nëse…”/ Kryeministri i RMV për provokimin e këshilltarit të Kurtit: Nuk ia vlen të merresh me të!

schedule20:31 - 29 Shkurt, 2024

schedule 20:31 - 29 Shkurt, 2024

I ftuar në emisionin “Real Story”, në ABC News kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, foli për situatën politikë në Maqedoninë e Veriut duke u ndalur dhe tek marrëdhëniet me Kosovën.

Gjatë intervistës në “Real Story”, Xhaferi u pyet për komentin e këshilltarit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Bekim Qoku, i cili në një status në “Facebook”, bëri një koment provokues duke thënë se Talat Xhaferi, si kryeministër teknik, do të quhej shqiptar, sikur të paktën si gjest të parë prej kryeministri, të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001.

Xhaferi u shpreh se nuk e sheh të arsyeshme të merret me deklarata të një njeriu që sipas tij nuk as nuk i ka përjetuar ato ngjarje.

Pyetje: Këshilltari i kryeministrit Kurti kur morët detyrën mendoj, lëshoi një provokim të rëndë në rrjete sociale kur ju përmendi ju se si do ta mbani kokën ju kur të kaloni pranë varrezave të martirëve në luftë. Mua kjo mu duk e rëndë, aq më tepër e thënë ndaj jush, kur ju keni qenë një person që keni kontribuuar vetë edhe në luftën e Kosovës, edhe në luftën e fillimviteve 2000 në Maqedoni, ju si u ndjetë në ato momente?

Talat Xhaferi: Për faktin që një vlerësim të tillë e bën personi me të cilin në jetë nuk keni shkëmbyer asnjë fjalë dhe që në jetë nuk keni pirë kafe asnjëherë apo edhe të keni një takim fizikisht ajo është vetëm se trillim. Çfarë t’i bësh ndryshe, nuk ia vlen të merresh me të. Unë nuk e ndjej me tepër përgjegjësi t’i përgjigjem atij se si ndjehem unë. Unë di se si ndjehem para bashkëluftëtarëve të mi, e di se si ndjehem para invalidëve të luftës, familjeve të dëshmorëve në momentin kur komunikoj me ta. Pra nuk merrem me atë çështje sepse nuk e meriton që të merrem. Përgjegjësia u takon institucioneve përkatëse, për rastin në fjalë, tregon karakterin e tij, të Qokut që është i prirur të flasë për gjëra që as nuk i di dhe që as i ka përjetuar. Sepse po t’i kushte përjetuar do të njihte edhe ndodhitë edhe ngjarjet që kanë ndodhur.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!