Vetingu në polici, sipas ministrit Fatmir Xhafaj, është një reformë e vështirë, por e domosdoshme. Drafti final është konsultuar edhe me grupet e interest. Ministri i Brendshëm diskutoi për këtë proces gjatë takimeve me disa ambasadorë të akredituar në vendin tonë.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, zhvilloi një takim me ambasadorët e akredituar në vendin tonë, lidhur me projektligji për Vetting-un në polici.
Xhafaj deklaroi se nisma ligjore brenda pak javësh do të jetë në Kuvend për miratim. Ai bëri me dije se kriteret e vlerësimit për punonjësit e policisë janë tre: integriteti, verifikimi i pasurisë dhe profesionalizmi.
Fatmir Xhafaj: “Kjo është një reformë e vështirë, por një reformë e cila është e domosdoshme në kushtet aktuale kur ne konstatojmë se në radhët e Policisë së Shtetit, ashtu siç ka plot burra dhe gra, vajza dhe djem të ndershëm, profesionistë, ka edhe jo pak nga ata që kanë probleme me integritetin, me kushtet e integritetit për të qenë pjesëtarë të kësaj agjencie me profesionalizëm, gjë që pa dyshim ka pasoja të drejtpërdrejta në efiçencën e punës së Policisë së Shtetit”.
Ministri Xhafaj shtoi se drafti është hartuar bazuar në standardet më të mira, nisur nga përvoja e ligjit për Vettingun në sistemin e drejtësisë.
“Besojmë se mbështetja e kësaj ekspertize do të shërbejë edhe si garanci, edhe si inkurajim, edhe si motivim nëse dëshironi ta them edhe këtë, për organet e vlerësimit që do të përfshihen, për njerëzit që do të përfshihen në këtë proces vlerësimi, sepse ato do të investohen në një proces të vështirë, shumë të vështirë”.
Ambasadorët, pasi u njohën me detajet për realizimin e procesit të Vettingut në Policinë e Shtetit, shprehën mbështetje, vlerësim për punën e kryer dhe besim për rezultate të shpejta. Ambasadorja e Gjermanisë Susanne Schütz, deklaroi se shpreson që kjo do të sjellë rezultate sa më shpejt dhe aq më mirë./abcnews.al