Xhafaj takime me eurodeputetë në Bruksel, Kukan: Vazhdoni reformat e nisura

schedule19:05 - 7 Dhjetor, 2017

schedule 19:05 - 7 Dhjetor, 2017

Gjatë vizitës në Bruksel, Ministri i Brendshëm shqiptar u takuan edhe me anëtarët e Parlamentit Europian, Eduard Kukan dhe Gianni Pitella.

Europarlamentari Eduard Kukan u shpreh gjatë takimit se për arritjet e Shqipërise ka vlerësime pozitive në Bruksel.

“Po përpiqemi për çeljen e negociatave. Reformat e nisura duhet të vazhdojnë”, tha Kukan.

Ai shtoi në bashkëbisedimin me ministrin e Brendshëm Xhafaj se ekziston një atmosferë e mirë brenda institucioneve të BE-së në Bruksel, dhe Shqipëria ka bërë progres.

Kukan nënvizoi se kanë nisur shumë procese që duhet të përfundojnë e në këtë kontekst Ministria e Brendshme ka rol kryesor.

“Siç e kam thënë shpesh, BE do të ndihmojë, por ju jeni ata që do ta kryeni procesin”, tha Kukan.

Ministri Xhafaj e falenderoi eurodeputetin për ndihmën e dhënë për reformën në drejtësi dhe theksoi se implementimi mbetet një proces shumë i rëndësishëm.

Në takimin me eurodeputetin Gianni Pitella, Xhafaj prezantoi prioritetet dhe dokumentin politik të Ministrisë së Brendshme.

Xhafaj kërkoi nga BE-ja të ndjekë procesin e implementimit të reformës në drejtësi. Sipas tij, kjo reformë mund të jetë shembull për rajonin.

Ministri informoi deputetët e PE-së mbi rezultatet e vitit 2017 në luftën antikanabis dhe i njohu me detaje të përgjithshme nga Plani i Veprimit kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale/Operacioni “Forca e Ligjit”.

Ministri nënvizoi se duke pasur parasysh progresin e bërë, qeveria pret që viti 2018 të jetë vendimtar për rrugëtimin evropian të vendit. Ministri theksoi se vullneti politik dhe angazhimi i qeverisë për të forcuar sundimin e ligjit janë të palëkundur. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!