Opozita demokrate ka vijuar pjesëmarrjen në komisionet parlamentare edhe ditën e hënë ku ka marrë vijuar me të njëjtën axhendë si ajo e javës së kaluar, denoncimin e çështjes Xhafaj si më të rëndësishmen për vendin. Lidhur me këtë çështje deputeti Flamur Noka njoftoi edhe ekzistencën e përgjimeve të tjera të cilat pritet të bëhen publike në vijim.
Edhe këtë fillim jave Partia Demokratike duket se po vijon strategjinë e zbatuar ditët e fundit, kthimin e debatit në komisionet parlamentare tek ajo që quajnë “çështja më me rëndësi e momentit”, çështja “Xhafaj” për të cilën deklarojnë se të rejat nuk kanë mbaruar ende.
“Është e paparanueshme të poshtërohet kaq rëndë Shqipëria. T’i thuash Europës që unë nuk kam asnjë individ normal ta përzgjedh si ministër të brendshëm, sepse sipas kryeministrit këtu të gjithë u merrkan me drogë dhe pikërisht në institucionin që duhet të jetë siç ia jep tagrin ligji e kushtetuta, në ballë të luftës kundër krimit e trafikut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës së tretë, jo në një vend të Europës ku ne po shkojmë çdo ditë e po trokasim pavarësisht se shkojme me atlete apo me këpucë. Ai përgjim ambiental dhe një tjetër që do dalë shumë shpejt do vërtetojë se përveç faktin që ka qenë dikur i përfshirë në trafik droge vëllai i Ministrit të Brendshëm ka vijuar të jetë aktiv duke pasur mbrojtje Ministrin e Brendshëm”.
Ashtu si në komisionin e ekonomisë edhe kolegët demokrat të paraqitur në komisionin e ligjeve debatuan kauzën e tyre dhe përsëritën thirrjen për dorëheqjen e ministrit Fatmir Xhafaj, gjë për të cilën kanë thirrur qytetarët në protestë të shtunën e 26 majit. /abcnews.al