Xhaçka në ‘Venecia’/ Gogu: Kushtetuesja na ka urdhëruar të votojmë në një mënyrë të caktuar, nuk po e kundërshtojmë, thjesht duam një këshillë

schedule20:24 - 18 Shtator, 2024

schedule 20:24 - 18 Shtator, 2024

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Toni Gogu ka deklaruar në lidhje me mandatin e deputetes Olta Xhaçka se Gjykata Kushtetuese i ka urdhëruar të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe këtu ka një paqartësi.

Ai ka theksuar në “Real Story” se nuk e kanë kundërshtuan vendimin e Kushtetueses, por thjesht po kërkojnë një këshillë nga Komisioni i Venecias.

“Unë besoj jemi në një moment të pazakontë. Nuk do ta quaja përplasje, por një stacion, ku kryetari jonë i grupit zgjodhi fjalën e duhur që është paqartësi. Për herë të parë në jurisprudencës kushtetuese shqiptare, Gjykata Kushtetuese ka detyruar deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar. Ne nesër do të shqyrtojmë një ndryshim për ligjin, për arsimin profesional, kryesisht për mjekët, ku ne vendosëm një kufizim më përpara dhe Kushtetuesja e shfuqizoi, por në asnjë moment nuk na tha votoni këtë ndryshim. Ne kemi sjellë disa ndryshime që besoj e respektojmë parimin e propocionalitetit. Në rastin konkret, gjykata na ka urdhëruar të votojmë në një mënyrë të caktuar dhe këtu ka një paqartësi. Kuvendi dhe shumica socialiste nuk kanë rrëzuar shumicën e gjykatës kushtetuese. Ne kemi abstenuar sepse jemi të paqartë.

Ne nuk e kemi kundërshtuar vendimin e gjykatës, por kemi stopuar dhe po kërkojmë një këshillë nga Komisioni i Venecias që është aty për atë punë.

Ne nuk kemi kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ne kemi abstenuar në këtë moment sepse jemi tërësisht të paqartë se si mundet të urdhërohemi për të votuar në një mënyrë të caktuar dhe në momentin që do të marrim një përgjigje nga Komisioni i Venecias do t’i dalim përballë këtij vendimi”, tha ndër të tjera Gogu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!