Xhaçka në Dropull e Delvinë: Dy ura të reja për 6 mijë banorë

schedule10:07 - 30 Dhjetor, 2017

schedule 10:07 - 30 Dhjetor, 2017

Prej ditës së sotme 6000 banorët e 10 fshatrave në bashkitë Dropull e Delvinë e kanë më të lehtë   komunikimin  me pjesën tjetër të bashkivë të tyre dhe më të gjithë vendin. Batalioni xhenio i Forcave të Armatosura ka ndërtuar në vetëm pak ditë dy ura, në Vanë dhe Llongo, të cilat u dëmtuan në fillim të këtij muaji pas përkeqësimit të motit. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë inspektimit të dy urave, siguroi se Forcat e Armatosura do të vazhdojnë të jenë pranë komunitetit jo vetëm gjatë ditëve të festave por në çdo ditë të vitit.

 

Faza post emergjencë është po kaq e rëndësishme sa edhe reagimi në orët e para të emergjencave, ku Forcat e Armatosura angazhuan rreth 3 mijë efektivë. Djemtë tanë vazhdojnë të jenë në terren prej 4 javësh me ndërtimin e urave si ajo e Darëzezë pak ditë më parë apo si këto  në Delvinë e Dropull sot, të cilat çojnë në 10 numrin e urave që kemi ndërtuar që prej shtatorit të këtij viti. Do të jemi pranë të gjithëve në kohët më të vështira. Edhe kur të tjerët festojnë, FA do të jenë në krye të detyrës siç janë në krye të detyrës në çdo moment me atdhedashuri edhe me përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj punës. Për ne nuk është e rëndësishme nëse dikush banon në autostradën Tiranë- Durrës, banon në Vlorë, në Dropull, apo në zona të largëta dhe të izoluara. Ne do të jemi pranë tyre përherë, për të kapërcyer bashkë vështirësitë e duke ua bërë jetën më të lehtë”, tha Ministrja gjatë inspektimit të urës në Përroin e Rrapishtave në Dropull.

Ministrja e Mbrojtjes shoqërohej në Dropull nga Prefekti Astrit Aliaj dhe nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, njëherësh deputete e qarkut të Gjirokastrës.

Ishte gatishmëria e madhe e Forcave të Armatosura që bënë të mundur që në kohë të shkurtër ne të shpëtojmë nga emergjenca. Ne e kemi biseduar edhe me deputetët e qarkut dhe ndajmë të njëjtin mendim se e kemi patur gjithmonë pranë ushtrinë, sidomos muajt e fundit ku kemi pasur dy emergjenca dhe i kemi kaluar me ushtrinë në krah”’, tha Ministrja Kumbaro.

Në Delvinë, ura e ndërtuar bën të mundur që 1mijë banorët e fshatit Vanë tanimë të komunikojmë pa vështirëësi me rrugën nacionale. Ministrja Xhaçka gjatë takimit me banorët bëri me dije se mbi 4 mijë familje në disa bashki janë ndihmuar me pako ushqimore e veshëmbathjegjatë këtyre javëve.

Që prej datës 3 dhjetor e deri në momentin që po flasim, në bashkëpunim me prefektët dhe pushtetin vendor janë 800 ton produkte ushqimore dhe blektorale të shpërndara në më shumë se 6 bashki. Më vjen mirë të konfirmoj që sot, janë mbi 4 mijë familje që janë asistuar e po asistohen nga efektivët e FA për të kapërcyer pasojat e përmbytjeve, duke u ndihmuar me ushqime, veshëmbathje, medikamente dhe produkte ushqimore për blegtorinë, deklaroi Ministrja gjatë inspektimit të urës, ku shoqërohej nga deputeti i qarkut të Vlorës, Alket Hyseni dhe prefekti Flamur Manaj./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!