Zgjedhjet vendore të këtij viti dhe ato parlamentare në verën e vitit 2021 nuk do të cënohen. Këtë garanci u dha banorëve të qarkut të Dibrës Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka. Ndërsa opozitën e paralajmëroi se shqiptarët nuk do të lejojnë një ’97 të dytë.
Ministrat dhe deputetët socialistë kanë filluar të shpërndajnë nëpër Shqipëri të njëjtën njoftim: Nuk do të ketë ndryshim të kalendarit të zgjedhjeve në vend. Thonë se këtë e bazojnë në raportin që kanë me qytetarët.
“Raporti ynë kryesor dhe final është ai me qytetarët, është besimi që ata na kanë dhënë, është puna që ne duhet të bëjmë për të shpërblyer besimin e tyre. Është shumë e rëndësishme që ne të intensifikojmë komunikimin me ta. Jo thjeshtë për të folur me ta për sukseset e qeverisjes sonë por, është me rëndësi tu tregojmë atyre sikundër edhe opozitës e partnerëve tanë ndërkombëtare, që janë mbështetja jonë dhe flasin se çfarë duhet të jetë e ardhmja e Shqipërisë, se ne jemi të gjithë bashkë e flasim të gjithë njëzëri”.
Ministrja e mbrojtjes Olta Xhacka, në cilësinë e të deleguarës së kryesisë së Partisë Socialiste kërkoi nga strukturat e partisë së Qarkut të Dibrës angazhim maksimal për zgjedhjet vendore. Duke komentuar situatën politike, të krijuar nga djegia e mandateve të deputetëve të opozitës, Xhaçka tha se është e paprecendentë.
“Dhe se ato forca që duan përparimin dhe integrimin e Shqipërisë janë shumë e shumë më tepër sesa ata pak vandalë që duan që Shqipëria të bëjë hapa mbrapa dhe që Shqipërinë ta persekutojë ende hija e ’97”.
Përfaqësuesit e kryesisë së PS theksuan në takimet e zhvilluara në të 4 bashkitë e qarkut Dibër se PS është e vendosur që të mos lejojë askënd të marrë peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë. /abcnews.al