Xhaçka “merr në mbrojtje” tenderin e dyshimtë, PD: 1.5 mln euro ushqime u fituan nga kompania e kompjuterëve

schedule16:01 - 2 Prill, 2020

schedule 16:01 - 2 Prill, 2020

Një kompani maqedonase e specializuar për shitje kompjuterësh ka fituar tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes prej 1.5 milionë eurosh, për blerjen e ushqimeve për familjet në nevojë.

Opozita denoncoi faktin se kompania në fjalë ishte licensuar për tregti ushqimesh vetëm 6 ditë përpara se të hapej tenderi i qeverisë shqiptare, tender i cili u la i hapur vetëm për 24 orë.

Olta Xhaçka sulmoi opozitën në një dalje publike duke mbrojtur prokurimin.

Sot në mes të një lufte dhe përballë një armiku që po na rrezikon të gjithëve, ka njerëz, si këta regjisorët e “Babales” që kanë luksin të merren me inskenime të ulëta me qëllimin e vetëm përhapjen e panikut dhe hedhjen baltë mbi një operacion humanitar, që ndodh 24 në 24, që nga dita e parë e emergjencës, i paprecedentë për ne e për vende më të zhvilluara nga ne, i cili po u vjen në ndihmë mbi 600.000 familjeve e qytetarëve në nevojë në çdo cep të Shqipërisë.

Procedura e prokurimit të ushqimeve të Rezervave të shtetit është bërë në përputhje të plotë me përcaktimet ligjore dhe aktet nënligjore që krijojnë mundësinë e blerjes me afate të përshpejtuara pikërisht për të përballuar situata ekstreme të shkaktuara nga gjendja e fatkeqësisë.

Në vijim dhe në përputhje me të gjitha rregullat e prokurimit për situata të tilla, në datë 26 mars komisioni hapi ofertat dhe në datë 27 shpalli fituesin.

Por Ministrja e Mbrojtjes nuk ju dha dot përgjigje dyshimeve të opozitës. Pyetjet i përsëriti sërish Alibeaj.

Rama dhe Xhaçka e kanë për detyrë t’u përgjigjen pronarëve të 1,5 milion eurove, që janë taksapaguesit shqiptarë:

  1. Pse, mes 35 000 kompanive shqiptare që merren me furnizimin e ushqimeve, zgjodhi për t’i dhënë 1,5 milionë euro, kompanisë së kompjuterëve nga Maqedonia?
  2. Pse ia dha tenderin një kompanie maqedonase, e cila shtoi si subjekt tregtinë e ushqimeve vetëm 6 ditë para tenderit?
  3. Kush fshihet pas kësaj afere? Kush po përfiton në kurriz të njerëzve në nevojë?

Opozita i bëri thirrje SPAK-ut dhe Prokurorit të Përgjithshëm që të lënë karantinën dhe të nisin menjëherë hetimin e kësaj çështje.

Lexo edhe/ Alibeaj: SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm të lënë karantinën, të nisin hetimin për tenderin e ushqimeve

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!