Akademia e Forcave të Armatosura do të akreditohet si një institucion i arsimit të larte. Lajmin, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e bëri të ditur në nisje të vitit të ri akademik.
Akademia e Forcave të Armatosura do të ndryshojë status. Shumë shpejt Këshilli i Ministrave do t’i hapë rrugë ndryshimit rrënjësor të sistemit arsimor ushtarak në vendin tonë.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka lajmin ua dha studentëve dhe pedagogëve në nisje të vitit të ri akademik.
“Kjo akademi ka sot një rol vërtet shumë të rëndësishëm strategjik për transformimin e ushtrisë shqiptare. Forca e Armatosur që po ndërtojmë sot është në fakt shumë e ndryshme nga ajo që trashëguam. Aty ku dikur kishim një forcë të bazuar tek rekrutimi i detyruar, sot kemi një forcë më të vogël, profesioniste e vullnetare. E mbi të gjitha kemi një forcë që duhet të arrijë standardet e NATO që janë padyshim standardet më të larta që duhet të respektojë një forcë ushtarake kudo në botë”.
Ndryshimet në ligj do të mundësojnë jo vetëm hapjen e studimeve të ciklit të parë Bachelor, por dhe akreditimin e plotë të Akademisë së Forcave të Armatosura dhe programeve të saj akademike.
“Ky nuk është një institucion i zakonshëm i arsimit të lartë, ndaj ne jemi duke punuar fort bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes që t’i japim një status të veçantë Akademisë së Forcave të Armatosura, që stafi akademik të trajtohet i njëjtë si institucionet e tjera të arsimit të lartë”.
Ky është viti i 11 që Akademia e Forcave te Armatosura hap dyert për studentë nga disa vende të rajonit. 182 ushtarakë nga Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Gjeorgjia dhe Kosova do të ulen në auditore këtë vit akademik. / abcnews.al