Neymar lidhet ngushtë me një rikthim tek skuadra e Barcelonës, por katalanasit nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të bërë realitet një transferim të tillë. Nënshkrimi me Antuan Grizman për 120 mln euro e bën të pamundur financimin e një operacioni që minimalisht kushton 220 mln euro.
Në lidhje me kalimin e brazilianit në “Kamp Nou” është prononcuar edhe ish-kapiteni i katalanasve, Xavi Hernandez. Spanjolli lavdëroi sulmuesin e PSG dhe theksoi se Barcelona duhet të marrë vetë vendimin për të nënshkruar ose jo me Neymar.
“Në fushë Neymar është spektakolar. Ai bën gjëra të mrekullueshme. Unë e konsideroj si një djalë të mirë, i cili ka dhënë gjithçka tek skuadra e Barcelonës. Nuk e di nëse Neymar do të rikthehet në Spanjë, por është Barcelona që duhet të marrë një vendim. Dua më të mirën për këtë klub”.
Neymar është i destinuar për të vijuar karrierën në Francë pasi rikthimi në Barcelona është tejet i komplikuar./ABc News Albania 24/7