Woodward: Trump është një idiot dhe i ç’ekuilibruar

schedule13:18 - 5 Shtator, 2018

schedule 13:18 - 5 Shtator, 2018

Uashington Post promovon librin e gazetarit të njohur Bob Uoduard, fitues i dy çmimeve Pulitzer, i cili e përshkruan presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, si një idiot dhe të ç’ekuilibruar.

Një idiot dhe një i ç’ekuilibruar, një gënjeshtar profesionist dhe një president që ka botëkuptimin e një nxënësi të klasës së pestë fillore. Epitete të ashpra këto që janë shqiptuar nga bashkëpunëtorë të ngushtë të kreut të Shtëpisë së Bardhë, Donald Tramp, pikërisht për presidentin amerikan. Dëshmi që janë mbledhur në një libër bombë që pritet të dalë së shpejti në libraritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me titullin “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë”.

Një libër që ka si autor gazetarin e njohur Bob Uoduard, reporterit legjendar që ka fituar dy herë çmimin Pulitzer, i cili bashkë me Karl Bernstein zbuloi prapaskenat e skandalit Uotergejt. Uoduard për të shkruar këtë libër ka mbledhur me qindra orë intervista me dëshmitarë të rëndësishëm, ka lexuar ditarë personalë dhe ka analizuar dokumente qeveritare. Libri prej 448 faqesh, do të dalë në shitje në 11 shtator por disa paragrafe të tij janë publikuar nga Uashington Post, ku Uoduard shkruan shpesh editoriale. Paragrafet tregojnë se si bashkëpunëtorët e ngushtë të Tramp kontrollojnë dhe lëvizjet më të vogla të tij për të shmangur skandale duke i marrë dhe dokumente zyrtare nga tryeza në mënyrë që ai të mos i shohë dhe më pas ti firmosë.

Një episode tregon se si ish-këshilltari ekonomik Xheri Kohn, i ka hequr nga tryeza letrat që vulosnin largimin nga Nafta dhe nga marrëveshja tregatre me Korenë e Jugut për të mbrojtur sigurinë kombëtare, dhe kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk ka kuptuar asgjë. Kreu i stafit Xhon Keli i ka rrëfyer kolegëve të tij se mendonte që presidenti ishte një i ç’ekuilibruar dhe një idiot të cilin është e kotë të përpiqesh që ti mbushësh mendjen për diçka. Sipas tij, çdo gjë është jashtë kontrolit dhe Shtëpia e Bardhë është kthyer në një qytet të çmendur. Shtëpia e Bardhë reagoi menjëherë pas këtyre publikimeve duke thënë se ky libër përmban vetëm histori të sajuara nga ish-nënpunës të pakënaqur, vetëm për të krijuar një figurë negative për presidentin./abcnews.al