Duhej të kishte ndodhur ndryshe.
Ishte Ons Zhaber favorite për të fituar titullin e madh në Uimbëlldon, por sporti shpesh nuk i respekton parashikimet.
Kampione në Grand Slemin më të vjetër e më të lavdishëm të botës u bë Marketa Vondrusova.
Vajza 24-vjeçare çeke mposhti 2-0 me sete rivalen saj tuniziane, me rezultatin e njëjtë 6-4 e 6-4 dhe gjithçka përfundoi për 80 minuta.
Finalja në fushë qendrore të kompleksit aristokratik në Londër ishte e fortë, por Vondrusova fitoi në momentet vendimtare, duke u bërë e para teniste femër që merr titullin duke e nisur turneun nga faza eliminatore.
Ajo nderoi shkollën e madhe çeke të tenisit, duke ndjekur shembullin e emrave si Navratilova, Novotna apo Kvitova.
Po ashtu, në deklaratën pas ndeshjes, 24-vjeçarja nderoi rivalen e saj, Zhaber, që nuk mundi sërish të bëhej e para arabe që fiton një Grand Slem.
“Kjo që po ndodh tani, ju e kuptoni që është një ndjenjë e mrekullueshme. Dua të falenderoj Onsin, që është një frymëzim për të gjitha ne. Uroj dhe shpresoj që një ditë ti ta fitosh një ditë këtë titull. Ti je një njeri i shkëlqyer, dhe bëre një paraqitje të jashtëzakonshme këtu në Uimbëlldon. Unë vjet nuk munda të luaja këtu, isha e dëmtuar dhe erdha si turiste. Tenisi ndonjëherë është i çmendur”
Më pas, Vondrusova kreu ceremoninë tradicionale me daljen në ballkonin e Uimbëlldonit, duke prezantuar trofeun e shkëlqyer.
Shpreson që në të ardhmen të fitojë më shumë Grand Sleme, dhe të mos pengohet nga dëmtimet, për t’u bërë legjenda e radhës e tenisit çek./ h.ll/abcnews.al