Will Smith përjashtohet nga Oscars për 10 vjet

schedule21:17 - 8 Prill, 2022

schedule 21:17 - 8 Prill, 2022

Will Smith nuk do të lejohet të marrë pjesë në Academy Awards për 10 vitet e ardhshme. Aktori nuk mund të marrë pjesë në çmimet Oscar dhe ngjarjet e tjera të Akademisë për një dekadë pasi goditi me shuplakë komedianin e njohur, Chris Rock.

Akademia e Arteve dhe Shkencës së Filmit, e cila organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve, u mblodh të premten për të diskutuar masat disiplinore. Takimi, i planifikuar fillimisht për 18 prill, u përshpejtua pasi Smith njoftoi dorëheqjen e tij nga Akademia javën e kaluar.

“Bordi ka vendosur që për një periudhë 10 vjeçare nga 8 Prilli 2022, z. Smith nuk do të lejohet të marrë pjesë në asnjë ngjarje  të Akademisë, personalisht ose virtualisht, por pa u kufizuar në Çmimet e Akademisë,” thanë Presidenti i Akademisë, David Rubin dhe CEO Daen Hudson në një deklaratë të premten.

Gjatë ceremonisë në Teatrin Dolby në Los Anxhelos më 27 mars, Smith doli në skenë dhe goditi komedianin, i cili kishte bërë një shaka për gruan e tij, aktoren Jada Pinkett Smith. Incidenti shkaktoi debate të ashpra dhe personazhe të shumtë kërkuan masa të rrepta disiplinore.

Deklarata e plotë e Akademisë 

Çmimet e 94-ta Oscar ishin menduar të ishin një festë e shumë individëve në komunitetin tonë që bënë punë të jashtëzakonshme vitin e kaluar; megjithatë, ato momente u lanë në hije nga sjellja e papranueshme dhe e dëmshme që pamë z. Smith të ekspozonte në skenë.

Gjatë transmetimit tonë televiziv, ne nuk e trajtuam siç duhet situatën në skenë. Për këtë na vjen keq. Kjo ishte një mundësi për ne që të jepnim një shembull për mysafirët tanë, shikuesit dhe familjen tonë të Akademisë në mbarë botën, dhe ne dështuam – të papërgatitur për situatën e paprecedentë.

Sot, Bordi i Guvernatorëve thirri një takim për të diskutuar se si t’i përgjigjet më mirë veprimeve të Will Smith në Oscar, përveç pranimit të dorëheqjes së tij. Bordi ka vendosur, për një periudhë 10 vjeçare nga 8 Prilli 2022, Z. Smith nuk do të lejohet të marrë pjesë në asnjë ngjarje apo program të Akademisë, personalisht ose virtualisht, duke përfshirë, por pa u kufizuar në Çmimet e Akademisë.

Ne duam të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për z. Rock për ruajtjen e qetësisë së tij në rrethana të jashtëzakonshme. Ne duam gjithashtu të falënderojmë mikpritësit, të nominuarit, prezantuesit dhe fituesit për vendosmërinë dhe hirin e tyre gjatë transmetimit tonë televiziv.

Ky veprim që ne po ndërmarrim sot në përgjigje të sjelljes së Will Smith është një hap drejt një qëllimi më të madh për të mbrojtur sigurinë e interpretuesve dhe të ftuarve tanë dhe rikthimin e besimit te Akademia. Ne gjithashtu shpresojmë se kjo mund të fillojë një kohë shërimi dhe restaurimi për të gjithë të përfshirët dhe të prekurit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!