U kthye si një forcë e natyrës. Viktor Uembaniama nuk mundi ta ndihmonte ekipin e tij në ndeshjen e kaluar të serisë gjysmëfinale të plej ofit në Perëndim, veçse kjo ndodhi vetëm sepse u përjashtua.
Gjigandi francez u kthye në parket që nga minuta e parë dhe San Antonio nuk e pati aspak problem triumfin ndaj Minesotës, në sfidën e pestë zhvilluar në Teksas.
Spërsat ia dolën plot 126-97, pra gati me 30 pikë diferencë, ndërsa Uembi ishte fantastik.
Shënoi 27 pikë, kapi 17 topa në tabela, dha 5 asistë dhe bëri 3 bllokime gjuajtjesh, dhe San Antonio ka tani epërsinë 3-2 me fitore.
Nëse arrin sukses edhe në ndeshjen e gjashtë që luhet në fushën e Minesotës, shkon në finalen e Konferencës ku do të jetë përballë kampiones në fuqi, Oklahoma.
Sa për Uembaniamën, francezi u bë I treti basketbollist më I ri në historinë e NBA-së që ka të paktën 25 pikë, 15 topa në tabela dhe 5 asistë.
Më të rinj se ai ishin vetëm dy legjenda të Lejkërsave, Mexhik Xhonson dhe Luka Doncic.
Natyrisht, për San Antonion luajtën mirë edhe të tjerët, pasi Xhonson shënoi 21 pikë, Foks 18 dhe Kastëll 17 pikë.
Nuk mjaftoi për Minesotën Entoni Eduards që shënoi 20 pikë.
Ndeshja e gjashtë luhet duke u gdhirë e diela e ardhshme sipas orës së Shqipërisë.


