“Wembley” i Ballkanit, kështu e quan gazeta Tuttosport stadiumin “Arena Kombëtare” që pritet të përurohet të dielën në ndeshjen Shqipëri-Francë. Krahasimet nuk mbarojnë me kaq, pasi tribunat i krahasojnë me mitikun “Bombonero” në Argjentinë.
Corriere dello Sport gjithashtu i ka dhënë hapësirë stadiumit të ri, teksa vë në dukje faktin që presidenti i UEFA-s, Aleksandro Ceferin, do të jetë i pranishëm në ndeshjen hapëse kundër Francës.
Edoardo Reja, trajneri i kombëtares, flet në lidhje me stadiumin dhe ato sigurisht janë pozitive. Vlerësimet e tij i dha edhe në konferencë për shtyp. “Stadiumi na ka dhënë stimuj të ri. Është një stadium fantastik, e kam parë tre ditë më parë.
Është një emocion dhe nder që do të jem në inaugurim”, ka thënë mes të tjerash italiani, i cili ka theksuar se kualifikimi për në Botëror nuk është i pamundur për Shqipërinë. Ende nuk ka rinovuar, por nënshkrimi i kontratës së re mes FSHF-së dhe Rejës duket të jetë një formalitet. /abcnews.al