Manchester United është “frenuar” nga Watfordi në ndeshjen e javës së 27-të në Premier League, teksa sfida përfundoi në barazim pa gola.
Cristiano Ronaldo ishte i pranishëm ne fushën e lojës por nuk mundi të gjente rrugën e rrjetës dhe të nxirrje me 3 pikë skuadrën e tij nga kjo përballje, edhe pse “djajtë e kuq” dominuan lojën
Pas kësaj përballje Manchester United renditet në vend të katër me 47 pikë, teksa Watford qëndron në vend të 19 me 19 pikë të grumbulluara.
Ndërkohë në sfidën tjetër, Newcastle ka surprizuar Brentfordin, duke fituar në transfertë me rezultatin 0-2 . Vendasit luajtën me një lojtar më pak që nga minuta e 11’, pas daljes me të kuq të Dasilvas, nuk mundën të bënin asgjë përballë “laraskave”. Të dy golat për ekipin e sheikëve u realizuan në pjesën e parë nga Joelinton në minutën e 33’ dhe nga Willock në minutën e 44’. Në këtë sfidë u aktivizua edhe Cristian Eriksen në minutën e 52.
Pas takimit të 26-të Brentford renditet në vend të 15-të me 24 pikë, teksa Newcastle ngjitet në vend të 14-të me 25 pikë.
Edhe Manchester City arriti të merrte një fitore të rëndësishme për titullin në kampionatin anglez. Përballë Everton, citizenët arritën të fitonin me shifrat 1-0. Skuadra e Pep Guardiolës iu falën golit të shënuar nga Foden në minutën e 82.
Me këtë fitore Manchester City shkon në kuotën e 66 pikëve në vendin e parë, +6 pikë nga Liverpool i vendit të dytë që ka një ndeshje mangut, ndërsa nga ana tjetër Everton ngelet në kuotën e 22 pikëve në vendin e 17, duke rrezikuar edhe mbijetesën.
/f.a/abcnews.al