Washington Post: SHBA-të i kanë kërkuar Zelenskyt të ulet në tryezë me Putinin

schedule17:35 - 6 Nëntor, 2022

schedule 17:35 - 6 Nëntor, 2022

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po këshillojnë dhe inkurajojnë privatisht Ukrainën që të tregojë se është e hapur të negociojë me Rusinë, shkruhet në artikullin e Washington Post.

Në artikull citohen burime anonime, sipas të cilave nxitja e zyrtarëve amerikanë nuk synon ta sjellë Ukrainën në tryezën e bisedimeve , por është një përpjekje e qëllimshme për të siguruar që Kievi të ruajë mbështetjen e vendeve të tjera.

Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas pranojnë se refuzimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të zhvilluar bisedime me presidentin rus Vladimir Putin ka shkaktuar shqetësim në disa vende në Evropë, Afrikë dhe Amerikën Latine, ku efektet e luftës për ushqimin dhe karburantin janë më të dukshme.

Zelensky nënshkroi një dekret më 4 tetor duke e quajtur zyrtarisht perspektivën e çdo bisedimi me Putinin “të pamundur”, por duke e lënë të hapur derën për bisedime me Rusinë.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë nuk ka dhënë asnjë koment të menjëhershëm mbi besueshmërinë e informacionit. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit është përgjigjur: “Ne e kemi thënë më parë dhe do ta themi përsëri: Veprimet flasin më shumë se fjalët. Nëse Rusia është e gatshme të negociojë, ajo duhet të ndalojë bombat dhe raketat e saj dhe të tërheqë forcat e saj nga Ukraina ” ./Abcnews.al/ 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!