“Wanderlust in Albania”/ Çela ndan detaje nga konkursi ndërkombëtar: Në qendër është Shqipëria e parë nga sytë e turistëve

schedule10:38 - 24 Nëntor, 2023

schedule 10:38 - 24 Nëntor, 2023

“Wanderlust in Albania” është konkursi më i ri i krijuar nga Agjensia Kombëtare e Turizmit dhe në qendër është fotografia në vendin tonë.

E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, drejtoresha e kësaj qendre, Zana Çela ndau detajet e konkursit, duke ftuar të gjithë ata që e kanë profesion ose pasion fotografinë të marrin pjesë.

Ajo theksoi se nuk ka rëndësi mosha që i përkisni, me rëndësi është të preket aspekti tematik, që është Shqipëria turistike, e parë nga sytë e vizitorëve.

“Është një konkurs gjithpërfshirës në aspektin tematik, pra të tregojmë Shqipërinë turistike në të gjitha skajet e saj, duke treguar të gjithë bukuritë natyre, jo vetëm trashëgiminë natyrore, deri në folkor, etnografi, agrobiznes, kulinari, çdo gjë që ka vendi ynë. Pikërisht, ky është rrafshi gjithpërfshirës kur unë them vendi ynë. Por edhe sa i përket grupmoshave, konkursi fton të gjithë të apasionuarit, apo të gjithë profesionistët e fushës për të konkuruar me foto apo me video ‘reels’ që kanë bërë gjatë këtyre viteve të fundit.

Në fakt titulli i konkursit është “Të magjepsësh mbas Shqipërisë”, sepse ishte trendi i këtij viti, magjepsja mbas Shqipërisë, dëshirë e fortë për të zbuluar dhe për të eksploruar çdo cep të saj. Edhe këtë idenë na e dhanë të gjitha ato video-reels apo dhe ato fotot që vërshuan nëpër rrjetet sociale, jo vetëm nga ne, por dhe nga turistët dhe vizitorët e huaj. Kjo ishte ajo nxitja që na dha këtë ide që pse jo ne si Agjensi Kombëtare e Turizmit të shpallim një konkurs për të kuptuar Shqipërinë e vërtetë përmes syrit të tyre, emocioneve të tyre, përjetimeve që ata kanë ndjerë gjatë qendrimit në Shqipëri për një periudhë dyvjeçare”, u shpreh Çela./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!