Vulin: Neutralitet politik nëse Kosova anëtarësohet në KE

schedule16:20 - 12 Maj, 2022

schedule 16:20 - 12 Maj, 2022

Nëse Kosova arrin që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Serbia duhet të shpallë neutralitet politik, ashtu siç shpalli luftë, tha të enjten ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, duke komentuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Vulin tha se vota e anëtarëve të Bashkimit Evropian (BE) për kërkesën e Kosovës do të tregojë se çfarë mendojnë ata në realitet për Serbinë.

“Neve nuk na duhet që të presim edhe njëzetë vjet të tjera për të kuptuar nëse Bashkimi Evropian e do Serbinë në kuadër të saj, do të mjaftojë të votojnë ose të mos votojnë kundër pranimit të territorit [Kosovës] në një organizatë që është e përbërë nga shtete”, tha Vulin në një deklaratë.

Më 12 maj, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka konfirmuar Sharr Jakupi, shefi i kabinetit të ministres së Jashtëm të Kosovës, Donika Gërvalla.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçicc, me rastin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka caktuar një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të premten, më 13 maj.

Pas kërkesës së Kosovës, Vuçicc tha se me këtë veprim, Kosova “e shkeli dhe e shkeli brutalisht” marrëveshjen e Uashingtonit.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Vulin, tha se vetëm kërkesa e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është shkelje e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë në prani të ish-presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump. Përmes kësaj marrëveshjeje Kosovës i ndalohej të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit si dhe Serbisë i ndalohej që të vazhdonte fushatën e saj lotuese kundër njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.

Departamenti i Shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë moratoriumin për çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.

“Prishtina ose do të dënohet dhe ndalohet, ose do të tregohet se çdo gënjeshtër është e lejuar kundër Serbisë dhe se nuk ka as të drejta e as drejtësi për serbët”, tha ministri serb, Vulin.

Ai theksoi se “deri tani është kuptuar se nënshkrimi i Bashkimit Evropian vlen sa Marrëveshja e Brukselit, por tani është rasti të shohim se sa vlen fjala e Shteteve të Bashkuara”.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës fillimisht shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe pas vlerësimit të situatës në Kosovë, fjalën përfundimtare e ka Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësues kombëtarë të shteteve anëtare.

Një shumicë prej dy të tretash kërkohet që një vend të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Çdo shtet anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e shtetit të së drejtës dhe gëzimin e barabartë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por ende nuk është anëtarësuar në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Përveçse se nuk është anëtare e BE-së, Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe të tjera.

Serbia gjatë gjithë kohës ka bërë fushatë aktive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe bllokimin e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Aleati kryesor i Serbisë në këtë përpjekje është Rusia.

Megjithatë, Kosova ka arritur të bëhet anëtare e disa organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit. /Rel/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!