Grupi i Rithemelimit që drejtohej nga ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë me në drejtimin e Partisë Demokratike. Pas një seanca maratanë, Gjykata e Apelit të përgjithshëm prishi vendimin e Agron Zhukrit duke kthyer edhe njëherë çështjen për rishqyrtim në shkallë të parë por me një tjetër trup gjykues. Deri atëherë, kalon data 7 mars dhe Sali Berishes i duhet të lëshojë selinë blu ose të largohet me forcë nga përmbarimi i gjykatës. Një fund jo dhe aq i lumtur për njeriun që themeloi partinë që përmbysi komunizmin, por që prej 10 vjetesh po qëndron në opozitë.
Vendimi u mor në unanimitet të plotë nga treshja gjykuese e Apelit, me relatore Elona Mihali dhe anëtarë Astrit Kalaja dhe Irida Kacerja , që prishi vendimin e datës 25 mars 2022.
“Në dispoziv thuhet se “kundër këtij vendimi lejohet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar”.
Avokati Indrit Sefa deklaroi se të hënën Partia Demokratike do të regjistrohet në KQZ për zgjedhjet e 14 majit nga Enkelejd Alibeaj.
“Sot gjykata vendosi rikthimin e çështjes në shkallën e parë, kërkesë e jona. Praktikisht u pranua ankimimi i Alibeaj kjo do të thotë që çështja do rikthehet në gjykatën e shkallës së parë dhe do ketë një tjetër trup gjykues. Do regjistrohemi në komisionin qendror të zgjedhjeve brenda këtyre ditëve”,
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe përfaqësuesi tjetër ligjor i grupimit të Alibeajt, Rezart Kthupi, i cili madje paralajmëroi formalizimin e dorëheqjes së Bashës.
“Vendimi Zhukri nuk ekziston më! Ka organe legjitime partia. Duke filluar nga e hëna do të paraqesim dorëheqjen e Lulzim Bashës.”
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Berishës, deputeti Oerd Bylykbashi e cilësoi vendimin të ndikuar politikisht. Ai e quajti një ditë të zezë për drejtësinë dhe politikën shqiptare.
“Ky vendim i sotëm i marrë nën presionin e Ramës, i paralajmëruar më parë nga ministrja e Ramës presioni mbi gjykatën ishte në sallë”, tha Bylykbashi.
Në seancën e së premtes Apeli rrëzoi Gjyqtarin Agron Zhukri I cili 11 muaj më parë njohu Kuvendin e 11 dhjetorit të Rithemelimit.
Për zhvillimin e seancës maratonë të së premtes gjykata u vu në dispozicion vetëm të procesit të vulës së PD, duke shtyrë të gjitha seancat e themelit. Procesi u monitorua edhe nga dy përfaqësues të ambasadës amerikane në Shqipëri dhe ambjenti i jashtëm i gjykatës u ruajt nga efektivë të policisë për të mos lejuar cënimin nga protestuesit e foltores që vijuan në bulevardin dëshmorët e Kombit. /abcnews.al