Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të zhvillojë një vizitë zyrtare në SHBA gjatë datave 1 dhe 2 mars. Në këtë vizite kreu i shtetit serb pritet që të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, dhe do të ketë takime të tjera me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, e ku temë diskutimi do të jetë Kosova.
Mediat serbe, raportojnë se Vuçiç është ftuar në Uashington nga Komiteti Amerikano-Izraelit për Çështjet Publike (AIPAC), në një takim që do të mbledhë rreth 18,000 pjesëmarrës e ku do të marrin pjesë edhe dy të tretat e anëtarëve të Kongresit Amerikan.
Para udhëtimit në SHBA, presidenti Vuçiç, sot në mëngjes, ka thënë se në Uashington, përveç me sekretarin e shtetit, Pompeo, do të takohet me këshilltarin e presidentit për Sigurinë Nacionale të SHBA, Robert O’Brien, të dërguarin e SHBA për Ballkanin, Mattheë Palmer dhe të dërguarin Special të SHBA për dialogun Beograd-Prishtinë Richard Grenel, dhe siç tha ai “të gjithë ata që vendosin për Serbinë” .
Ai tha se nuk do ta ketë lehtë të bisedojë me amerikanët, por se në Uashington do të luftojë për një pozicion më të mirë të vendit të tij.
“Nuk duhet pritur që Shtetet e Bashkuara, as ndonjëri nga ‘lojtarët’ e tjetër ndërkombëtarë do të ndryshojnë qëndrimin e tyre për Kosovën. Por ne mund të përpiqemi të marrim një pozicion tjetër në sytë e Amerikës, nga ai që ishte deri më tani. Këto do të jenë takime të rëndësishme për ne”, tha presidenti serb para udhëtimit të tij në Uashington./abcnews.al