Vuçiç: Serbia legjitimoi pavarësinë e Kosovës në 2008-n

schedule14:16 - 17 Prill, 2018

schedule 14:16 - 17 Prill, 2018

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se Beogradi legjitimoi pavarësinë e Kosovës me pyetjen e ngritur në Gjykatën e Hagës. Gjithashtu theksoi me ironi se për Kosovën nuk do të bisedojë me Prishtinën por me Uashingtonin.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një interviste për “TV Pink”, tha se shteti i tij, me një vendim të pamenduar mirë, i ka dhënë legjitimitet shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai I bëri këto komente ndërsa po fliste për kritikat e opozitës ndaj politikave të tij.

Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë: “Kundërshtarë për ne, në çështjen e Kosovës, nuk janë shqiptarët, por ata që e kanë krijuar atë shtet, dhe të cilët na e kanë marrë atë territor, kur Kosova shpalli pavarësinë, më 2008. Serbia, me pyetjen e çuditshme, para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i ka dhënë legjitimitet kësaj”.

Në atë kohë, Serbia duke u bazuar në rezolutën 63/3 të OKB-së, ngriti këtë pyetje në Gjykatën e Hagës: “A është Deklarata e njëanshme e Pavarësisë, e marrë nga institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”. Mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha me 22 Korrik 2010. Me 10 vota pro dhe 4 kundër, ai mendim ishte se”Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e 17 shkurtit 2008, nuk cënon normat e së drejtës ndërkombëtare”.

Ndërkohë, më tej Vuçiç theksoi se për Kosovën nuk do të flasë me Prishtinën por me SHBA-të.

Aleksandër Vuçiç: “Ky vit nuk do të jetë i lehtë. Do të ekzistojë dëshira e madhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por a do të mundemi ta bëjmë këtë, pasi jemi ne, në Serbi njëra anë, dhe në anën tjetër janë ata, pala e Prishtinës dhe amerikanët për të cilët vetë Haradinaj tha se ata e udhëheqin politikën e tyre të jashtme”.

Gjithashtu Presidenti serb tha se në Prishtinë nuk ekziston njëra nga shtyllat kryesore të shtetit, që e cila sipas tij është pranuar nga vetë kryeministri Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!