Vuçiç “qorton” Brnabiç: Nuk duhet t’i ofendojmë shqiptarët

schedule14:47 - 4 Qershor, 2019

schedule 14:47 - 4 Qershor, 2019

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se Gjermania dhe Franca po bashkëpunojnë me administratën amerikane për përgatitjen e samitit të Korrikut në Paris me qëllim që ky tubim të rezultojë me zhbllokimin e dialogut dhe eventualisht me ndonjë marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit.

Pas deklaratës ofenduese të kryeministres serbe, Ana Brnabiç, në adresë të krerëve shtetërorë të Kosovës, ka qenë vet presidenti Aleksandër Vuçiç ai që është munduar të relativizojë komentet e vartëses së tij. Duke folur të hënën nga Krahina e  Vojvodinës, Vuçiç konfirmoi vendosmërinë e regjimit të tij për të luftuar për interesat serbe.

“Ne duhet ta kuptojmë se çfarë janë interesat tona. Interesat tona nuk duhet të jenë në dërgimin e çfarëdo ofendimeve për shqiptarët, madje as përfaqësuesit e tyre politik, ndonëse për ta mendojmë më të keqen, por duhet të punojmë që t’i tregojmë botës se ne jemi për kompromis, se është e qartë kush nuk e dëshiron kompromisin”, tha Vuçiç duke fajësuar për këtë palën kosovare dhe duke vlerësuar njëherësh se operacioni i para disa ditëve i policisë së Kosovës  ishte në funksion të fushatës parazgjedhore e jo sikurse paraqitet nga pala kosovare, për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

“Njerëz hiqni taksat, shkojmë në dialog të përpiqemi që të arrijmë kompromisin, por të arrijmë kompromisin jo ashtu që ju do të thoni “Kosova brenda këtyre kufijve”! Nuk ka problem. Kosova është brenda këtyre kufijve. E përsëris edhe unë po këtë fjali! Dhe, çka pastaj? Pasi ju konsideroni “Kosova në këta kufij – ajo është e pavarur”, edhe unë konsideroj në këta kufij, se Kosova është vetëm pjesë e Republikës së Serbisë! Çka do të bëjmë pastaj”, pyeti Vuçiç.

Në intervistën dhënë televizionit shtetëror serb, megjithatë ai, duke konfirmuar pjesëmarrjen në samitin e Parisit, në fillim të Korrikut, la të kuptohet se Gjermania e Franca po bashkëpunojnë me amerikanët për të mos lejuar që, sikundër u shpreh, Parisi të jetë katastrofë/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!