Ish-drejtori i informacionit në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Donat Syla, komentoi zhvillimet e fundit politike në Serbi dhe rajon gjatë një interviste në emisionin “Balkan Update” në ABC Neës, ku dha një vlerësim të ashpër për presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Syla deklaroi se presidenti serb po udhëheq vendin me autoritarizëm dhe po dëmton interesat e qytetarëve serbë për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve të paqarta me aktorë të huaj.
“Vuçiç qeveris me dorë të hekurt, është një politikan pa karakter, i cili po luan me marrëdhëniet mes Rusisë, BE-së dhe së fundmi me SHBA-të. Faji kryesor është faji i tij, dhe fakti që ka shkaktuar shumë pakënaqësi për shkak të aferave korruptive. Është duke shkaktuar dëme Serbisë dhe shtetasve serbë,” u shpreh Syla.
Ai theksoi se protesta masive janë bërë pjesë e përditshme në Serbi, me qytetarë dhe studentë që bllokojnë rrugët dhe urat në shenjë pakënaqësie ndaj qeverisjes aktuale.
“Kemi protesta masive që kanë shoqëruar Serbinë këtu edhe 7 muaj. Ka studentë dhe qytetarë të pakënaqur që dalin dhe bllokojnë rrugët dhe urat e qyteteve. Vuçiç, për të kaluar këto protesta, po ndihmon financiarisht universitetet private. Vuçiç është mësuar që të mbijetojë në kriza. Por, kam frikë se do të krijojë trazira në Veri të Kosovës,” paralajmëroi ai.
Duke iu referuar kontekstit rajonal, Syla tha se liderët aktualë nuk kanë treguar angazhim të sinqertë për demokracinë në Kosovë, ndaj kërkoi kujdes nga qytetarët.
“Ne nuk mund të presim surpriza. Sepse asnjë nga liderët nuk kanë treguar një qasje diplomatike për demokracinë e Kosovës. Prandaj ne si popull duhet të jemi vigjilentë si popull,” Donat Syla./abcnews.al

