Pas protestave të radhës në Serbi kundër presidentit Aleksandër Vuçiç, kreu i shtetit pritet t’i drejtohet qytetarëve me një fjalim. Ndërkohë, në vend ka pasur dhe arrestime pasi një grup manifestuesish u futën me forcë në zyrat e radiotelevizionit serb.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do t’i drejtohet kombit me një fjalim pas protestave kundër tij në fundjavë. Situata u përshkallëzua kur një grup manifestuesish u futën me forcë në ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë, për të kundërshtuar, mbulimin e njëanshëm të ngjarjeve nga ky televizion.
Maniestuesit u nxorën me forcë nga ndërtesa e Radio Televizionit të Serbisë, pasi kishin qëndruar aty për dy orë. Në mesin e protestuesve ishin edhe udhëheqësit e Aleancës për Serbinë, një grupi prej rreth 30 partish politike dhe lëvizjesh të ndryshme. Pasi protestuesit u nxorën nga ndërtesa e RTS, njerëzit u mblodhën jashtë për të kundërshtuar veprimet e policisë.
Protestat antiqeveritare “Një në pesë milionë” mbahen në Beograd çdo të shtunë që në 8 dhjetor të vitit të kaluar. Ndërkohë, ato janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Serbisë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Vuçiç, më shumë liri në media dhe transparencë gjatë zgjedhjeve.
Një grup manifestuesish mes të cilëve dhe intelektualë, shkrimtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u vendosën para presidencës duke thënë se nuk do të largoheshin deri sa kreu I shtetit të pranonte të fliste me ta.
Ndërkohë policia serbe ka arrestuar shtatë persona në Beograd, të akuzuar për akte dhune. Vuçiç ka bërë apel për qetësi, ndërsa asnjë grup protestuesish u zhvendosën para komisariatit të policisë për të kërkuar lirimin e të arrestuarve.
Presidenti Vuçiç nga ana e tij është larguar nga presidenca nga dera kryesore, ndërsa gazetarët e Tanjug, u shprehën se ai këtë gjë e bën gjithnjë, edhe pse një grup protestuesish kishin rrethuar presidencën për të mos lejuar largimin e kreut të shtetit. Me anë të një videoje në profilin e tij në Instagram Vuçiç dënoi aktet e dhunës në kryeqytet duke akuzuar opozitën si nxitëse të trazirave në vend. Duke iu referuar lajmit së grupe të shumta mbështetësish të tij do të mblidheshin në Beograd, ai bëri apel për qetësi për të shmangur çdo përplasje mes palëve./abcnews.al