Nuk do të diskutohet për asnjë temë të rëndësishme në takimin e radhës në Bruksel në 7 Shtator mes presidentit të Kosovës Thaçi dhe atij serb Vuçiç. Ky i fundit konfirmoi për mediat serbe se liderët kosovarë nuk kanë dëshirën dhe vullnetin për t’u përballur me çështje thelbësore.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se nuk prêt që në takimin e radhës me presidentin e Kosovës Thaçi në 7 Shtator në Bruksel të bisedohet për tema të rëndësishme.
Sipas mediave serbe, Vuçiç theksoi se duke u bazuar në deklaratat e liderëve kosovarë, Prishtina nuk ka dëshirë dhe vullnet që të bisedojë për për Asociacionin e Komunave Serbe, as për veriun e për Gazivodën.
Kreu i shtetit serb tha se vendi i tij nuk ka kohë për të humbur dhe palët pjesëmarrëse në dialog duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Nga ana tjetër, Brukseli pret që marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet në fund të këtij viti, ose deri në Maj të vitit 2019.
Aleksandër Vuçiç: “Mëngjesin e të mërkurës zyra e presidencës në Prishtinë deklaroi se korrigjimi i kufijve dhe Asociacioni nuk do të jenë në tavolinën e bisedimeve në 7 Shtator në Bruksel. Në këtë takim të dy liderëve në Bruksel, sipas këtyre burimeve, do të diskutohet rreth modaliteteve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”.
Shumë faktorë politikë në Kosovë dhe jo vetëm janë shprehur kundër kësaj teze. Edhe politika e Beogradit nuk duket e unifikuar përballë idesë së korrigjimit të kufirit me Kosovën.
Ministri i Jashtëm Daçiç ka qenë një nga zërat më kundërshtues, duke u shprehur qartë më shumë se njëherë se Kosova duhet ta harrojë Luginën e Preshevës. Ndërsa BE dhe SHBA kanë bërë të qartë se mbështesin çdo marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, që nuk çënon tërësinë territoriale dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor./abcnews.al