Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka pritur ministrin e Jashtëm të Gjermanisë në Beograd. Kreu i Shtetit theksoi se Serbia dëshiron të hyjë në BE. Ndërsa kryediplomati gjerman kërkoi të gjendet një zgjidhje mes Prishtinës dhe Beogradit.
Serbia do të ketë tri cështje për të zgjidhur në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Stabiliteti rajonal, problemi i Kosovës bashkë me rendin dhe ligjin.
Shefi i diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel, ka nisur vizita në Serbi dhe Kosovë për të shprehur qëndrimin e Berlinit lidhur me problemet në Ballkan.
Sigmar Gabriel, ministri i Jashtëm i Gjermanisë: “Gjermania, sikurse edhe BE, duan që të gjendet një zgjidhje mes Beogradit dhe Prishtinës për të relaksuar situatën. Zgjidhja është e rëndësishme për qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës. Të gjithë pajtohemi se nuk guxon të ekzistoj një konflikt i përhershëm”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia do një zgjidhje pasi insiston të futet në BE deri në vitin 2025.
Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Ne nuk kemi frikë nga pika e tretë rreth drejtësisë pasi kemi punuar për këtë. Deri tani kemi ruajtur paqen në rajon dhe me Prishtinën e dimë që na pret punë pasi ne duam që të futemi në BE pavarësisht se Gjermania vitin 2025 nuk e sheh si të shenjtë”.
Kompanitë gjermane punësojnë në Serbi 37 mijë njerëz. Shkëmbimi tregtar është 4.4 miliardë euro. Gabriel tha se vendet e Ballkanit duhet të arrijnë standardet evropiane dhe se Serbia është faktor i rëndësishëm për stabilizimin e rajonit./abcnews.al