Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Serbia nuk do të ketë probleme me furnizimin me gaz, pasi pret nënshkrimin e një kontrate afatshkurtër me Rusinë për furnizim me këtë burim energjie.
“Presim së shpejti nënshkrimin e një kontrate afatshkurtër për furnizimin me gaz me çmime të mira. Në çdo rast, deri në verë nuk do të kemi asnjë problem me gazin dhe ky është një lajm i mirë për qytetarët”, tha Vuçiç më 4 dhjetor për televizionin serb, Pink.
Serbia varet nga importi i gazit rus. Kontrata për furnizimin me gaz ka skaduar në maj dhe ende nuk është nënshkruar një kontratë e re.
Vuçiç shtoi se është lajm i mirë edhe fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjatur licencën për kompaninë ruse, Lukoil, deri më 26 prill të vitit të ardhshëm.
“Lukoil në Serbi ka 112 pika karburanti dhe do të mund të funksionojë me derivatet e naftës të importuara”, tha Vuçiç.

