Vuçiç paralajmëron masa të reja kundër koronavirusit në Beograd

schedule21:27 - 2 Korrik, 2020

schedule 21:27 - 2 Korrik, 2020

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se qeveria pritet që të premten të miratojë masa të reja për Beogradin, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.

Në një pornoncim për mediat serbe, kreu i shtetit tha se klubet e natës dhe kafenetë që nuk kanë kopshte do të mbyllen për dy javë, nga ora 23:00 deri në 06:00.

Ndër të tjera Vuçiç tha se të gjitha konviktet studentore në Beograd do të mbyllen po ashtu.

Ai theksoi se problemi më i madh me koronavirusin aktualisht është në Beograd, ku ndodhen “82.5 për qind e të infektuarve”.

Gjithashtu Vuçiç, tha se nga e hëna, ata që nuk bartin maska mbrojtëse në hapësirat e mbyllura në Beograd, do të gjobiten financiarisht. Autoritetet në Serbi njoftuan të enjten se gjashtë pacientë kanë humbur jetën nga koronavirusi në 24 orët paraprake.

Të enjten u konfirmuan edhe 359 raste të reja me koronavirus. Që nga shpërthimi i pandemisë në mes të marsit, Serbia ka konfirmuar mbi 15,000 raste. Prej tyre, 287 kanë vdekur, ndërsa aktive janë 1 996.

Për shkak të rritjes së numrit të rasteve të reja në ditët e fundit, disa qytete të Serbisë, përfshirë: Novi Pazarin, Tutinin, Kragujevcin dhe Vranjën, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!