Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një lidhje live për edicionin qendor të lajmeve në Abc News komentoi deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç se do të dërgojë një mijë ushtarë në veri të Kosovës. Kur u pyet nga gazetarja Juli Xhokaxhi, ai tha se nuk duhet të merret seriozisht.
“Për fat të keq retorika e luftë nxitëse e Vuçiç ka qenë e vazhdueshme por agresive në ditët e fundit. Kërkesa për kthimin e trupave serbe nuk vlen të merret seriozisht. Nuk ka asnjë vlerë. Në Kosovë s’do të ketë më asnjë ushtar serb dhe kjo është çështje e mbyllur në 1999.
Këtë e di secili serb normal por kjo është një tendencë për të krijuar ndjenjën e frikës tek ata që jetojnë atje dhe për të instrumentalizuar në skemën e Serbisë. Lojëra të tilla i kemi parë në të kaluarën.“, u shpreh mes të tjerash kryetari i PDK-së gjatë intervistës.
Sipas tij, shumica e deklaratave të tij bëhen për “konsum të brendshëm”. “Për Kosovën ka një dokument që është më i rëndësishëm dhe është deklarata e pavarësisë së vendit tonë. Vuçiç mund të ëndërrojë të kaluarën e përgjakur kur ka qenë shërbëtor i Millosheviçit, por s’do të mundet ta jetësojë atë.”
Kujtojmë që Vuçiç deklaroi se do t’i dërgonte një kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar deri në 1.000 forca të sigurisë. Beogradi paralajmëroi që me 8 Dhjetor shqyrtimin e vendosjes së forcave të veta në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara. /abcnews.al