Vuçiç: Njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës është dëshirë e BE-së, jo e Serbisë

schedule13:21 - 15 Qershor, 2022

schedule 13:21 - 15 Qershor, 2022

Të mërkurën, më 15 qershor, presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës ishte dëshirë e Bashkimit Evropian (BE) por jo e Serbisë.

Deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq erdhi si reagim ndaj raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë, ku për herë të parë shkruhet shprehimisht pritshmëria e BE-së për “njohje reciproke” mes Serbisë dhe Kosovës.

“Njohja reciproke është dëshira e tyre, është mirë që ata e duan, por ne nuk e duam. Dhe siç thashë – të gjithë kanë punën e tyre, ata kanë të tyren, ne kemi tonën,” tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një eventi të zhvilluar në Beograd.

Vuciq theksoi se nuk e konteston rëndësinë e dokumentit të miratuar nga Parlamenti Evropian, por shprehu besimin se “përbërja e re e parlamentit dhe qeveria e re në Serbi do të konfirmojnë gjithçka që ai ka deklaruar sot”.

Vuçiq tha gjithashtu se korniza e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fokusohet mbi “normalizimin e marrëdhënieve” mes dy vendeve, dhe jo njohjes.

Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) ka miratuar të martën, më 14 qershor raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Parlamenti Evropian për herë të parë ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.

Krahas marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimit të ligjit në vend, raporti i votuar përfshin edhe harmonizimin me politikat e sanksioneve kundër Rusisë, si përcaktues i progresit të përgjithshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Autoriteteve në Beograd u kërkohet të “tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe pozicionet e BE-sënë politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!